OOPS. Your Flash player is missing or outdated.Click here to update your player so you can see this content.
You are here:
Ramiz Alia: Të pavërtetat e Fatos Nanos
Written by Zippo   
Saturday, 13 February 2010 22:55

Ish-presidenti Ramiz Alia reagon fort mbas intervistës së Fatos Nanos. Dy ish-bashkëpunëtorët vihen përballë dhe Alia këmbëngul në të vërtetën e tij, që pretendon se është shtrëmbëruar nga zoti Nano. Alia flet për revistën MAPO për hyrjen e Nanos në politikë, ngjitjen e tij në fillim në qeverinë e fundit komuniste dhe më pas, edhe mënyrën sesi ai u bë kryetar i parë i Partisë Socialiste. "Tani ai flet në këtë mënyrë sepse, nga Vjena ku qëndron, nuk po heq dot dorë nga ëndrra për t´u bërë President i vendit", thotë Alia


E ka pritur me kureshtje. E ka ndjekur me habi. Dhe më pas është ndjerë edhe i fyer. Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist i vendit nuk heziton gjatë të vihet përballë Fatos Nanos, ekonomistit të dikurshëm, ish-kryeministër që pothuaj 20 vjet më parë, ai e besoi dhe e futi direkt në politikë. Alia pranon të intervistohet për revistën MAPO menjëherë mbas intervistës së zhurmshme të zotit Nano, një prej personazheve të përmendur të së cilës, ishte dhe ai vetë. E kundërshton në shumëçka, trajton ato detaje që sipas tij tradhëtojnë të vërtetën historike dhe shfaq të vërtetën e tij. Për herë të parë Ramiz Alia tregon për misterin ndoshta më të madh që ka shoqëruar të shkuarën dhe të tashmen e tij: kush e solli në politikë dyshen e fortë Nano-Berisha. Për të parin, Alia nuk heziton të drejtojë gishtin nga vetja, kurse të dytin, aktualisht kryeministër i vendit, nuk pranon të flasë. "Kemi një temë të caktuar për bisedim dhe le t´i mbahemi asaj", thotë qetësisht dhe shpjegon po vetë, natyrën e kësaj qetësie: "Nuk është thjesht fjala ime kundër fjalës së tij, ka dokumenta të shkruara dhe mbi të gjitha, ka me dhjetra e dhjetra dëshmitarë që vërtetojnë të vërtetën time. Janë njerëz të gjallë dhe janë jashtëzakonisht të shumtë", thotë Alia.

Në fakt, "qetësinë" e ish-presidentit e ka prishur vetë Nano, i cili në një intervistë të gjatë në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, e përmendi gjatë Alinë duke dhënë dhe një variant të tijin për mënyrën dhe "modalitetet" e ndjekura pothuaj 20 vjet më parë për emërimin e tij në qeverinë komuniste shqiptare, fillimisht si Sekretar i Përgjithshëm i saj e më pas kryeministër. Dhe më pas, edhe për ngjitjen e tij në postin e kryetarit të Partisë Socialiste që do të shënonte në të njëjtën kohë dhe hyrjen e tij përfundimtare në politikë, nga e cila, siç thotë vetë Nano, "...është dorëhequr, por nuk ka hequr dorë". Dhe Ramiz Alia përgjigjet:

 

Zoti Alia, në intervistën e tij në dy pjesë, dhënë për Opinion-in e gazetarit Blendi Fevziu, ish-kryeministri Fatos Nano ju ka përmendur disa herë. Keni ndonjë koment për të?

Pas një mungesë të gjatë në publik, siç ka ndodhur në mënyrë ciklike që nga largimi i tij në vitin 2005 nga politika dhe përgjithësisht nga Tirana, ndodhi që u shfaq me zhurmë të veçantë Fatos Nano. Unë nuk kam dyshim se dalja në skenë e tij lidhet me ngjarjen më të madhe politike që po jeton vendi, zgjidhjen e konfliktit midis PD e PS për rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Fatos Nano nuk mund të rrinte në Vjenë, larg kësaj ngjarjeje të madhe politike, që në mënyrë të drejtëpërdrejtë lidhet edhe me projektet e tij të ardhshme. Ai ka përvojën e prapaskenave dhe ndaj ju desh që të dilte sërish në skenë. Mjaft të kujtohet takimi i famshëm i Triestes në vitin 1992 mes tij dhe Berishës! Prandaj shpejton t'i përbetohet bashkëbiseduesit të djeshëm, Berishës së sotëm, dhe t'i tregojë atij se Fatosi nuk ka asgjë që e lidh me të kaluarën komuniste dhe se prandaj meriton të bëhet President i Republikës!? Në intervistën që dha, lexoheshin qartë mesazhet e Fatosit për Saliun lidhur me këtë ëndër të tij nga e cila ai refuzon të heqë dorë.


Pse e lexoni në këtë mënyrë intervistën e ish-kryeministrit Nano?

T´jua shpjegoj. Le të ndalemi pak në ato ç'ka tha Nano. Intervista e tij u përqëndrua në dy drejtime kryesore:

Së pari, të tregojë me fjalë e vetëm me fjalë, se ka qenë gjeniu që i është përgjigjur kërkesave të tranzicionit, se ka qenë "kryeministri model", se është personi të cilit Shqipëria nuk duhet t´ja harrojë shërbimet e mëdha që i ka "bërë", e madje, për hir të këtyre shërbimeve edhe duhet t'i bjerë në gjunjë. Refuzoj të bie në pozitën e Nanos, por mburrjet e tij më kujtojnë edhe ndonjë episod të turpshëm që ka lidhje direkt me të. Sa për kujtesë, e ka harruar vallë Fatosi vitin 1998, kur miku i tij i sotëm Berisha organizoi "kryengritjen" e njohur dhe Kryeministri "model" i shqiptarëve ja mbathi drejt Maqedonisë! Në intervistë dëgjuam edhe mjaft xhevahire, dëgjuam madje për herë të parë, se paska qenë "pjesemarrës me studentët në Lëvizjen e Dhjetorit", se prirja e tij është pajtimi dhe bashkëpunimi me të gjithë. Eshtë fare e qartë se këto vetëmburrje janë mesazhe për Berishën, që të bindet se tek Fatosi ka një mik të sigurt.

Së dyti, Në intervistën e tij, fund e krye dhe nga kreu në fund, kishte shpifje dhe akuza ndaj PPSH-së dhe në veçanti ndaj meje personalisht. Nuk dua të futem në hollësi, por nuk mund të rri pa theksuar se, siç thotë populli, ai u paraqit si bukëshkalë. U paraqit si një njeri që ha bukën dhe kthen përmbys kupën dhe gjithë tryezën. Eshtë e njohur gjërësisht se F. Nano ka qenë një nga kuadrot e reja që e kam vlerësuar, e kam mbajtur pranë dhe i kam besuar pa rezerva në misionet që i kam ngarkuar. Që nga viti tashmë i largët 1988, kur unë ngarkova një grup specialistësh të rinj, ndër ta, specialistë të fushës së ekonomisë, për të përgatitur programin e masave për të nxjerrë ekonominë nga vështirësitë në të cilat gjendej, kam parë tek F. Nano një kuadër të aftë dhe të përgatitur. Dhe për këtë arsye e kam mbajtur pranë dhe më pas, edhe e kam "rekomanduar" në poste të larta qeveritare, deri edhe si Kryeministër i vendit.

Tani, pas njëzet vjetësh, F. Nano ka vendosur të lëshojë një varg sulmesh kundër meje. Punë për të, punë për llogaritë e tij personale. Në këto njëzetë vjet, unë jam mësuar me shpifje e thashetheme të tilla. Ato më janë bërë vazhdimisht nga Berisha dhe bashkëpuntorë të tij, por tani vonë edhe nga ndonjë prej "shokëve" të mi të dikurshëm, siç është rasti i Fatosit.

Natyrisht është e drejta e secilit të ketë mendim të vetin edhe për shokun me të cilin ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë. Që të jem i sinqertë, megjithëse nuk e fsheh keqardhjen, nuk ishte e papritur kritika e Fatosit. Para disa kohëve, në një intervistë para zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, F. Nano deklaroi se "nuk do të votoj për Partinë Socialiste". Qysh atë ditë kam thënë me vete: Kur ky njeri, inatet e veta me iksin apo ypsilonin, i nxjerr duke mos votuar për partinë e vet, për atë parti për të cilën ka provuar edhe burgun e Berishës. Ky njeri është i pabesueshëm, pra edhe i gatshëm të veprojë kundër kujtdo, pra edhe kundër Partisë dhe socialistëve, mjafton të arrihen synimet dhe arritjet e veta personale.


T´i kthehemi të shkuarës, ku gabon sipas jush ish-kryeministri në kujtimet e tij?

Fatosi në radhën e kritikave ndaj meje thotë, se Ramizi nuk e kuptonte situatën, se hezitonte në marrjen e vendimeve të nevojshme dhe nuk ishte për reforma. Nuk kam ndërmend të futem në diskutime për këto kritika. Një gjë do të theksoj: Shpesh kritikët e ndryshëm të sotëm, flasin pa patur parasysh realisht situatat kombëtare e ndërkombëtare të së djeshmes. Nano thotë se në vitin 1988 Republika Federale Gjermane ishte gati t'i hapte rrugën Shqipërisë drejt Europës së Bashkuar! Të them se është përrallë, është pak. Nuk besoj se e ka harruar shoku Fatos, që në gusht të vitit 1987, fill pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona, në Tiranë erdhi Ministri i Jashtëm i RFGJ-së, Gensher, me të cilin kemi biseduar shtruar për shumë probleme dhe ai nuk tha asnjë fjalë për Europën e Bashkuar. Në të vërtetë, ai më rekomandoi që Shqipëria të aderonte në OSBE. Dhe ne menjëherë, pas një muaji kërkuam dhe aderuam në OSBE. Kjo është një e vërtetë që ndodhet në arkiva dhe mjafton që Fatosi të konsultohet me to për të "rifreskuar" kujtesën që e ka humbur. Tani ka njerëz, që tregohen të ditur dhe flasin për "shanse të humbura" etj. Pse të mos e bënte dhe Fatosi këtë gjë?

Unë e theksoj, se problemet që dolën përpara vendit tonë në vitet 80' ishin të shumta e komplekse: ato kishin të bënin me politikën e jashtme, siç kishin të bënin me gjendjen e brendshme, sidomos me ekonominë e zhvillimin e saj. Por nuk mund të mos shënoj se as unë, as edhe shokët rreth meje, as edhe specialistët me të cilët jam konsultuar në atë kohë, duke përfshirë edhe vetë F. Nanon, duke studiuar mundësitë e zhvillimit ekonomik e politik të vendit, në atë kohë, pra para ngjarjeve të vitit 1990, nuk mendonim se duhet të hiqnim dorë nga rruga socialiste e zhvillimit. Vetëm kur filloi Lëvizja Studentore përfundimisht u bë e qartë se tashmë i erdhi fundi rrugës socialiste.

 

Fatos Nano ka një version të tijin që e shprehu në intervistë për ardhjen në krye të PS-së, cili është versioni juaj?

Në intervistën e vet F. Nano përpiqet të vërtetojë se vendosi të vihet në krye të PS për ta shkëputur atë përfundimisht nga ish Partia e Punës. Kaq kategorik e tregon veten sa "edhe teserën e PS nuk ia dha R. Alisë". Së pari, unë nuk kam kërkuar asnjëherë teserën e PS-së. Jo sepse nuk e respektoj atë parti. Unë, ndryshe nga Fatosi, votoj për atë parti. Por qysh kur isha President i vendit, nuk më lejohej të bëja pjesë në të dhe pasi u futa edhe në burg, e quajta ta panevojshme të kërkoja dokumentin e PS.

Jo vetëm kaq. Ai tha se "nuk e kam takuar Ramizin atë ditë kur u zgjodh Kryetar i PS". Duke qartë tendenca e tij për të provuar se gjoja se nuk ka patur asnjë kontakt me PPSH-në. Nuk thotë të vërtetën as edhe këtë rast. Ja një fakt: Kur do të krijohej qeveria e Y. Bufit, Fatosi erdhi tek unë dhe m'u lut që në këtë qeveri të emërohej Ministër i Jashtëm. Meqenëse ky post i ishte komunikuar Muhamet Kapllanit, ju refuzua Fatosit. Atëherë ai kërkoi postin e Ministrit të Tregtisë së Jashtme. Bisedova edhe me Yllin dhe ramë dakord. Po atë ditë zhvillonte punimet Kongresi i PPSH-së, që ndryshoi jo vetëm emrin. Kur Komiteti Drejtues që zgjodhi Kongresi propozoi F. Nanon si Kryetar të Partisë, ai e refuzoi këtë detyrë. Unë ndodhesha në lozhë së bashku me Kastriot Islamin. Menjëherë, erdhën tek unë disa nga anëtarët kryesorë të partisë së re dhe më kërkuan të bind Fatosin që të marrë detyrën. Dhe pikërisht këtë gjë bëra! Zbrita poshtë dhe bisedova me Fatosin. Nuk ishte bisedë "private": ishin edhe dy-tre shokë të tjerë. U bind Fatosi, siç ju thashë dhe e vetmja gjë që kërkoi, ishte të tërhiqte si bashkëpunëtorë Pëllumbin, Deden dhe Lleshin. Kjo është e vërteta, të cilës nuk ka përse t'i fshihet Nano. Edhe pse sot, ndoshta do të donte të ishte ndryshe e vërteta historike. Por historia nuk është si tualeti i grave, (sot e bëjnë dhe burrat), ndryshe në mëngjez në punë, e ndryshe në mbrëmje për në festë.

Kishte dhe një moment tjetër në intervistën e ish-bashkëpunëtorit tim Nano: "Lotin e nënë Maries". Atë lot, Fatosi duhet ta kujtojë dhe ta nderojë sepse e meriton. Por le ta bëjë duke respektuar të vërtetën. Ndryshe, kur vihet në rolin e mashtruesit publik dhe aq më keq, kur këtë e bën duke sharë e sulmuar "shokët" e vjetër me synim që të nxjerrë përfitime nga "miq" të rinj të dyshimtë, nënë Maria mund t'i thotë: "Turp, djali im!" Unë dhe shumë të tjerë do të shtonim thjesht, turp e faqja e zezë! Them turp sepse pakkush e ka pritur këto vitet e fundit një kthesë të tillë politike nga ish-Kryeministri socialist dhe ish-Kryetari i Parë i PS-së që është dorëhequr nga këto detyra, por nuk ka hequr dorë nga e pavërteta.

 ***********

Gazeta Shekulli

 

 

Share Link: Share Link: Google Yahoo MyWeb Del.icio.us Digg Facebook Myspace Reddit Ma.gnolia
 

Ju duhet te rregjistroheni, perpara se te postoni. Nese jeni rregjistruar, ju lutem identifikohuni ne login.

JoomlaWatch Stats 1.2.9 by Matej Koval