|
Ksenofon Krisafi: Ja prapaskenat e negociatave për kthimin e arit nga Anglia
Fatmira Nikolli
1574 kilogramë ar. Dy shtetet të kontinentit europian në "luftë" për to. Një gjysmëshekulli marrëdhënie të ngrira. Një histori që fillon qysh në kohën e Ahmet Zogut, e që vijon deri në ditët tona, kohë kur dalin në dritë fakte të reja mbi të. Kjo është beteja për arin, apo është më shumë se kaq...? Çfarë thonë dokumentet dhe kujtesa njerëzore? Si filloi e si vijoi çështja e arit? Ndërlikime, tërheqje, zmbrapsje, ritakime, përplasje ideologjish dhe opinionesh udhëheqësish. Të gjitha në një hark kohor të gjatë, të gjitha në emër të arit.
Ndonëse ka kaluar shumë kohë që nga hapja e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me kapital fillestar italian në vitin 1925, çështja e asaj sasie ari ende sot vijon të ngjallë debate. Të mbajtur peng nga Britania e Madhe, për shkak të incidentit të Kanalit të Korfuzit, 1574 kilogramët e arit do të bënin që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe të mbeteshin të ngrira për gati gjysmëshekulli. Vetëm pak kohë më parë, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, zëvendësrektor i UET-së, ka botuar një libër me titull "Në kërkim të arit", ku na paraqet një historik të plotë të vijimësisë së kësaj çështjeje, duke filluar që nga themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, për të vijuar më tej me problemet që lindën për "pronësinë" dhe të drejtën mbi këtë sasi ari, për të ardhur mandej deri tek bisedimet e bëra në vitet 1980, për kthimin e tij në Shqipëri. Ksenofon Krisafi ishte një nga pjesëtarët kryesorë të grupit të ngushtë të punës, që ndërmorën 10 vjet bisedime me palën britanike për kthimin e 1574 kg ar të depozituar në Londër pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e njihte thellë atë problem dhe dha një ndihmesë të veçantë në ecurinë pozitive të bisedimeve me anglezët, që natyrisht ndiqeshin me interes nëpërmjet kanaleve të tyre diplomatike edhe nga vendet e tjera europiane apo SHBA. Krisafi tregon anën e panjohur të medaljes dhe shuan kureshtjen e ngjarjeve të viteve kur Shqipëria qe ende e mbyllur, duke zbardhur kështu bisedimet e bëra për 10 vite me britanikët.
Profesor, para pak kohësh ju keni botuar librin "Në kërkim të arit". Cila është tema që trajton ky libër?
Trajton një ndër episodet më interesante të historisë diplomatike shqiptare. Ai përshkruan dhe analizon përpjekjet gati gjysmëshekullore për rikthimin në Shqipëri të një sasie ari që ishte pronë e shtetit shqiptar. Ai ishte njohur dhe pranuar si pronë e jona edhe nga strukturat e autorizuara ndërkombëtare, por kthimi i tij në Shqipëri u bllokua për shkak se u rivendikua edhe nga shtete të tjera. Zanafilla e historisë së arit shqiptar, që u shndërrua gjithashtu edhe në çështje të një rëndësie të veçantë politike, diplomatike, ekonomike, është viti 1925, kur u themelua Banka Kombëtare e Shqipërisë me kapital fillestar italian. Sipas statutit të saj, thesari, d.m.th, rezerva në ar që do të garantonte monedhën shqiptare të hedhur në qarkullim, duhet të qëndronte në Shqipëri. Në shkelje të tij, ajo u vendos në Romë. Kur Italia u pushtua në shtator të vitit 1943, gjermanët morën nga Banka e Romës edhe arin shqiptar dhe e transportuan për në Gjermani. Me pushtimin e Gjermanisë nga Forcat Aleate, ari që u gjet në depozitat e Bankës së Reichut, në një minierë kripe afër selisë së Hitlerit, u mor nga aleatët dhe u vendos në Angli. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, bashkë me shumë probleme që shoqëruan periudhën e pasluftës, u shtrua për zgjidhje edhe çështja e rikthimit të arit të grabitur nga forcat naziste në vendet e pushtuara. U krijua për këtë qëllim një mekanizëm ndërkombëtar, i quajtur Komisioni Trepalësh i Arit (KTA), me seli në Bruksel. Ai kishte si detyrë kryesore të grumbullonte dokumentacionin përkatës që provonte pretendimet e pronësisë për arin nga ana e shteteve të ndryshme dhe të organizonte procedurat e kthimit të tij te pronarët e ligjshëm. Kërkesa e Shqipërisë për marrjen e arit u shqyrtua dhe u cilësua e bazuar dhe e provuar juridikisht.
Atëherë, pse nuk u kthye ari në Shqipëri?
Sepse arin shqiptar e kërkoi njëkohësisht edhe Italia. Ajo pretendoi në fillim që ari, i identifikuar si rezerva e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ishte në të vërtetë pronë e Italisë, për arsye se kapitali themeltar i Bankës i përkiste një grupi financiar italian. Kur pas diskutimesh të gjata ky pretendim u rrëzua, ajo avancoi një motiv tjetër, kompensimin e sipërmarrësve italianë për dëmet e pësuara në bizneset e tyre në Shqipëri nga zbatimi pas luftës i ligjit shqiptar për shtetëzimet e pasurive të huaja. Edhe ky pretendim u hodh poshtë, megjithëse u shqyrtua në një varg strukturash ndërkombëtare. Ndërkohë ishte shfaqur pretendimi britanik.
Po Britania e Madhe pse e kërkonte arin shqiptar?
Kërkesa britanike lidhej me zbatimin e një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që e konsideronte Shqipërinë fajtore për incidentin që kishte ndodhur më 22 tetor 1946, në Kanalin e Korfuzit. Dy anije lufte britanike gjatë kalimit në ujërat shqiptare, kishin ndeshur në mina detare dhe si pasojë humbën jetën 44 ushtarakë britanikë, u plagosën 43 të tjerë dhe u shkaktuan dëme materiale. Vendimi e dënonte Shqipërinë që të paguante një shumë të hollash, që ishte afërsisht e barabartë me vlerën e arit të bllokuar në Londër.
Çfarë ngjau në vazhdim?
Duke qenë se qeveria shqiptare nuk e pranoi fajësinë me të cilën e ngarkoi Haga për incidentin e Korfuzit dhe për pasojë nuk e zbatoi vendimin, qeveria Britanike, e cila ishte një nga tre anëtarët e Komisionit Trepalësh të Arit, dhe që doemos ndikonte në vendimet e këtij komisioni, bëri çmos që të pezullonte vendimin e komisionit për t'i kthyer Shqipërisë arin që i takonte. Shqipëria e kundërshtoi vazhdimisht vendimin, duke përsëritur faktin se nuk ishte fajtore dhe vendimi i Hagës ishte i paragjykuar politikisht. Ajo nuk u pajtua as me qëndrimin e Komisionit Tripalësh të Arit, i cili po e vinte veten në rolin e një organi ekzekutiv të Gjykatës së Hagës. Por edhe Britania e Madhe vazhdoi të insistonte në zbatimin e vendimit të Gjykatës dhe mbajti të bllokuar arin shqiptar. Këto qëndrime diametralisht të kundërta cenuan rëndë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, marrëdhënie që mbetën të ngrira për gati gjysmë shekulli.
Në vitet '80 të shekullit të kaluar, të dyja palët filluan bisedimet. Me sa dimë, ju keni qenë pjesëtar i delegacionit shqiptar. Mund të na e përshkruani shkurt ecurinë e tyre, duke u ndalur në ndonjë episod që mund t'ju ketë bërë më shumë përshtypje gjatë negociatave?
Bisedimet që nisën në Paris në vitin 1985, nuk ishin të parat përpjekje që Shqipëria dhe Britania e Madhe kishin ndërmarrë në kërkim të një rrugëdaljeje. Gjatë viteve 1950-1951, në hotel "Bristol" në Paris, u zhvilluan katër takime shqiptaro-britanike, midis Behar Shtyllës dhe Sir Erich Beckett, me qëllim që të zgjidhej çështja e pagimit të shpërblimit të dëmeve që iu shkaktuan Britanisë së Madhe në incidentin e Kanalit të Korfuzit, në tetor të vitit 1946. Përfaqësuesit e palëve kishin përpara një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që ngarkonte me faj Shqipërinë dhe e kishte dënuar të paguante një shumë prej 843.957 sterlina. Duhet të gjenin zgjidhje për këtë çështje, të çelnin shtigje për riaktivizimin e marrëdhënieve shqiptaro-britanike, t'i hapnin rrugën kthimit të arit shqiptar dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Por, negociatat dështuan.
Përmendët incidentin e Kanalit të Korfuzit. Mund të na thoni diçka rreth kësaj ngjarjeje, dhe në ç'rrethana u lidh ajo me çështjen e arit?
Në libër ka edhe një kapitull sintetik për sa i përket zhvillimeve mbi incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe është futur jo pa qëllim, sepse ka qenë ky incident dhe çështja e zbatimit të vendimit të dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për këtë konflikt shqiptaro-britanik të vitit 1946, u bë shkak për të pezulluar zbatimin e vendimeve që ishin marrë nga organizma ndërkombëtare për t'i rikthyer Shqipërisë një sasi ari. Trajtohet historiku i incidentit dhe fare shkurt shqyrtimi i tij në Këshillin e Sigurimit dhe më vonë në Gjykatën Ndërkombëtare. Kjo është një çështje interesante, e cila këto kohë është rihapur në debate dhe diskutime të shumta në mediat shqiptare, për shkak të publikimit të disa të dhënave, të cilat njiheshin pak ose aspak më parë. Mendoj se ajo meriton një trajtim të gjerë më vete, për të cilën unë do të isha i gatshëm që t'ju tregoja në një rast tjetër.
Negociatat dështuan. Megjithatë, si e shihni ju interesimin e shteteve perëndimore dhe si vijuan bisedimet?
Në fillimet e viteve '80 të shekullit të kaluar, Shqipëria, e asfiksuar nga politika autarkike, përjetonte një periudhë vështirësish ekonomike. Kjo situatë tepër e rënduar vëzhgohej me vëmendje nga Perëndimi, me qëllim që të shfrytëzohej për të ndikuar për ndryshime në politikën shqiptare. Në horizont dalloheshin zhvillime inkurajuese, të cilat jo vetëm Britania e Madhe, por edhe Franca e SHBA, po i ndiqnin me kujdes, duke përgatitur terrenin për veprime konkrete me Tiranën, nëpërmjet shfrytëzimit të çështjes së arit si rrugë komunikimi. Kur interesi i palës shqiptare u shfaq qartë, anglo-amerikanët ndërmorën një hap të drejtpërdrejtë. Qeveria britanike së bashku me qeverinë amerikane, zgjodhën Francën për veprime të mëtejshme me qeverinë shqiptare. Më 20 prill 1984, ambasadori francez në Tiranë u takua me zëvendësministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, të cilit i dorëzoi një dokument, që në vijim u quajt konvencionalisht, "Propozimi prej 7 pikësh".
Qeveria franceze, në emër të qeverive të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe propozonte zgjidhjen e çështjes së arit shqiptar, nëpërmjet plotësimit të disa kushteve, në themel të të cilave qëndronte kërkesa britanike për pagimin e një shume prej 2 milionësh USD për zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kërkesa amerikane për pagimin e të njëjtës shumë për shlyerjen e disa pretendimeve financiare. Mbi këtë bazë filluan në Paris, më 15 mars 1985, negociatat shqiptaro-britanike. Siç e thatë edhe ju, unë u caktova në përbërje të delegacionit shqiptar dhe me këtë cilësi mora pjesë në të gjitha raundet e negociatave për një periudhë të gjatë kohe. Me anglezët jemi takuar dhe kemi biseduar shumë herë në Paris, Romë, Gjenevë, Tiranë e gjetkë.
Delegacionit iu ngarkua një detyrë delikate, në një kohë kur pozicioni politik i Shqipërisë ishte i dominuar nga qëndrime tepër të ideologjizuara. Vështirësive iu shtohej edhe fakti se mbi materialet e përpunuara nga ana e MPJ duhet të shpreheshin disa punonjës në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ata vinin nga fusha që nuk kishin lidhje me politikën dhe diplomacinë dhe nuk ishin ekspertë të politikës së jashtme. Dinin sloganet e kohës, por jo teknikën e bisedimeve dhe nevojën e kompromiseve, si rrugë për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Miratimi për fillimin e bisedimeve u kushtëzua me shumë vështirësi, çka u manifestua gjatë bisedimeve. Kur ne ishim në Paris duke biseduar dhe mund të thuhet se kishte shenja për një kompromis të pranueshëm për të dyja palët për zgjidhje të shpejtë, pati një tërheqje të menjëhershme nga KQP. Morëm urdhrin për të ndërprerë bisedimet dhe për t'u kthyer në Tiranë.
Pra, në një kohë kur mund të gjendej kompromisi, ju u urdhëruat të ndërprisnit bisedimet. Përse?
Urdhri i kthimit të beftë në atdhe dhe vetë udhëtimi drejt Tiranës përbën një episod që ia vlen të tregohet. Ishte marsi i vitit 1985, kur ne po zhvillonim në Paris bisedimet e para me anglezët. Gjatë tri raundeve ishte arritur një gjuhë kompromisi dhe mund të thuhet se delegacionet ishin në rrugën e zgjidhjes së problemit. Në një orë të vonë, pas mbarimit të raundit të tretë, pak pasi kishim mbaruar takimin, na vjen porosia që në orën 7.00 të mëngjesit të nesërm të ndodheshim në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, Ramiz Alisë. Ishte e parealizueshme kjo kërkesë, sepse në atë kohë nuk kishte linja direkte Paris-Tiranë dhe lidhjet e Tiranës me kryeqytetet e tjera të Evropës ishin shumë të pakta. Ishin vetëm 3-4 shoqëri ajrore që operonin me Tiranën. Prandaj na u duk një kërkesë e çuditshme, megjithatë të ndodhur para presionit dhe frikës se mund të kishte ndodhur diçka, aq më tepër që nuk na u tha motivi i kësaj kërkese kaq urgjente, u kërkuam kolegëve të ambasadës sonë në Paris të gjenin një mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë. Ishte fat që u gjet një fluturim i "Air France"-s në drejtim të Vjenës, në orën 10 e gjysmë të mbrëmjes, ku qëndruam 2-3 orë dhe me një makinë të ambasadës udhëtuam gjatë natës për në Budapest. Në orën 5.30 të mëngjesit, shoqëria ajrore "Malev" kishte një fluturim për në Rinas. Mbërritëm në zyrën e Ramiz Alisë me një ndjenjë ankthi dhe frike, ku pasi informuam gjerësisht për bisedimet, u duk se diçka nuk ishte pëlqyer. Na u tha se kishim avancuar më shumë se ç'duhej dhe kishim kapërcyer kufirin e kompromisit.
Ju, para se të nisnit bisedimet, a kishit rënë dakord me udhëheqjen për qëndrimin që do të mbanit në takimet që do të zhvillonit?
Sigurisht që kishim një platformë, të hartuar me disa alternativa qëndrimesh në varësi të ecurisë së negociatave. Zgjidhja ishte përfytyruar në formën e një pakete, pra ne merrnim arin dhe paguanim nga dy milionë për Britaninë e Madhe dhe për Amerikën. Në prill 1985 vdiq Enver Hoxha, i cili gati një vit më parë e kishte miratuar platformën e negociatave. Pas vdekjes së tij u vu re një ndryshim qëndrimi. Vështirë të gjendet një shpjegim për këtë ndryshim. Duket disi paradoksale që një qëndrim i arsyeshëm dhe luajal, i miratuar nga vetë ai, që për gjysmë shekulli ishte bërë pengesa e pakapërcyeshme, të ndryshohej nga pasardhësi i tij. Mendoj se ndoshta njerëz të rrethit të ngushtë të Alisë, që zëvendësoi Hoxhën, një pjesë e të cilëve, siç e thashë, vinin nga sektorë që s'kishin lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme, mund të kenë ndikuar në rikthimin në këtë pozicion të ngurtësuar, në një kohë kur në horizontin e negociatave u dukën shenja pozitive. Me përfundimin e tyre, marrëdhëniet shqiptaro-britanike do të dilnin nga ajo akullnajë që i kishte shoqëruar për një kohë të gjatë. Zgjidhja e çështjes së arit do të sillte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes shteteve, dhe kjo do të ishte për Shqipërinë një hap i jashtëzakonshëm dhe do të shërbente më shumë se vetë ari, për të cilin po diskutohej dhe që ishte gjithsej 1574 kg. Në mbarim të tri takimeve në Paris, bisedimet u ndërprenë pa arritur ndonjë rezultat dhe do të rifillonin pas disa vjet ndërprerjeje të panevojshme dhe të pamotivuar.
Si i mbani mend negociatat me britanikët? Çfarë përshtypjesh iu lanë anglezët?
Me pëlqen të vë në dukje faktin që këto bisedime për ne ishin edhe një përvojë në kuptimin profesional. Ne, së paku flas për veten time, mësuam shumë edhe nga takti dhe kujdesi diplomatik që treguan kolegët tanë britanikë, sidomos në raundet e para të negociatave që u zhvilluan në Paris. Edhe nga ana e delegacionit tonë u vunë re qëndrime simetrike, por për shkak të presionit të përditshëm që vinte nga Tirana nëpërmjet radiogrameve, pati momente kur u vërejtën shprehje që ngandonjëherë tejkalonin kufijtë e një etike normale diplomatike. Kam përshtypjen se në bisedimet me britanikët ne humbën pa motiv të qëndrueshëm së paku 10 vjet kohë marrëdhëniesh të vyera me dy shtete, nga të cilat do të kishim përfituar shumë. Ishte humbje e madhe politike ky vakum i kotë në marrëdhëniet shqiptaro-britanike dhe njëkohësisht shqiptaro-amerikane. Diçka tjetër që u vu re në qëndrimin e britanikëve ishte ndryshimi drastik i qëndrimit të tyre ndaj nesh pas viteve '90, viteve të ndryshimeve të rëndësishme politike në Shqipëri. Në fillim britanikët tregoheshin shumë kooperues në bisedime, ne ishim gjithashtu kooperues, por edhe të frenuar. Gjatë bisedimeve pas viteve '90, qëndrimi i tyre u ashpërsua deri në absurd. Në fillimet e negociatave, siç e thashë, ata u shprehën dakord që pala shqiptare të paguante një shumë prej 1.9 milionë dollarësh, pa qenë nevoja që të përmendej ndonjë referencë te vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, ose te incidenti i Kanalit të Korfuzit. Më pas, jo vetëm iu rikthyen kërkesës për referimin te vendimi i GJND dhe incidenti i Kanalit të Korfuzit, por e rritën shumën e kërkuar në 2.8 milionë dollarë për vete dhe po aq për amerikanët. Duke vazhduar shkurt rrjedhën e bisedimeve, duhet të them se ata do të tërhiqeshin nga ky pretendim i ekzagjeruar dhe në maj të vitit 1992, në Romë u arrit kompromisi. Britanikët zbritën në kërkesën e tyre fillestare prej 2 milionë dollarësh dhe hoqën dorë nga referimet e vendimit të GJND dhe incidentit të Kanalit të Korfuzit. Por, ndodhi diçka e pazakontë. Edhe pse palët ishin marrë vesh dhe kishin nënshkruar aktin përfundimtar, çështja vazhdoi të mbetej e patrajtuar edhe së paku 4 vjet të tjera. Në Shqipëri kishin ndodhur transformime të rëndësishme politike, midis dy vendeve u vendosën marrëdhënie diplomatike dhe u shkëmbyen ambasadat dhe u desh të vinte viti 1996, që kjo çështje të riniste rrugën e zgjidhjes për të përfunduar dy vjet më vonë, në 1998-ën.
Cila ishte vlera reale e asaj sasie ari?
Ari nuk ishte pak, por vlera dhe përfitimi ekonomik i tij ishin kurrgjë përpara avantazhit të jashtëzakonshëm që do t'i sillte Shqipërisë zgjidhja e çështjes së tij. Me këtë rast do të inauguroheshin negociatat e para për hapjen e Shqipërisë drejt botës, realizimin e një aspirate sublime të brezave të tërë. Ai do të ishte episodi i parë politiko-diplomatik, që do ta nxirrte Shqipërinë nga izolimi diplomatik. Me negociatat për arin Shqipëria iu përgjigj pozitivisht sinjaleve që erdhën nga Perëndimi dhe nisi hapat e para, edhe pse me shumë ndrojtje, drejt thyerjes së izolimit. Kjo mund të ishte arritja më e madhe se vetë vlera ekonomike apo financiare e arit.
A kishit frikë nga gabimet që mund të bënit, gabime që do të kushtonin shumë?
Gjendja e frikës ishte evidente. Ajo përplasej me dëshirën e delegacionit për të bërë diçka, për t'i sjellë një gëzim këtij populli. Ne ishim para një momenti historik, që do të hapte rrugën drejt Perëndimit dhe në këtë përplasje frike dhe përgjegjësie historike, kishte raste që frika dominonte. Kjo ishte arsyeja pse në negociatat me britanikët kishte edhe momente kur ne prezantoheshim të ngurtë dhe përsërisnim deri në mërzi veten tonë. Duhet të përcillnim slogane, të cilat ishim të detyruar t'i thoshim. Ishin direktiva nga udhëheqja e lartë e asaj kohe.
Le të kthemi tek libri, si është ndërtuar ai?
Lënda e librit është shtjelluar duke kombinuar stilin dhe rigorozitetin e nevojshëm shkencor me shënimet dhe përshtypjet e çastit nga ditari im diplomatik. Tregohet historia mbi bazën e dokumenteve, por edhe mbi bazën e përshtypjeve dhe përjetimeve personale. Duke qenë aktor, pjesë e grupit negociator, madje i vetmi që nuk ndryshoi gjatë gjithë kohës, pata privilegjin të njihja gjithë rrjedhën e ngjarjeve, me të gjitha hollësitë, përfshirë edhe episode që përbëjnë ngjarje dhe kuriozitete unikale. Jam përpjekur t'i pasqyroj në libër në një formë të këndshme dhe shpresoj të kem arritur të zgjoj kureshtjen dhe interesin e lexuesit.
Gazeta Shqiptare
|